Prokuroria Themelore në Mitrovicë, kryesisht Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar opinionin publik se sot, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës, saktësisht Njësinë për Hetimin e Auto krimeve Mitrovicë-Jug, në kuadër të një hetimi penal që është duke u zhvilluar, ka realizuar kontroll në shtëpinë e të pandehurve në Vushtrri, me qëllim të gjetjes dhe sigurimit të provave materiale relevante për procedurën penale.
Siç njofton Prokuroria, veprimet hetimore janë ndërmarrë në kuadër të hetimeve lidhur me dyshimin e bazuar se të pandehurit, me dashje, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente të falsifikuara publike gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të automjeteve.
Gjithashtu bëhet e ditur se sipas dyshimeve të deritanishme, me datë 06.07.2026, të pandehurit kanë përdorur dokumente të falsifikuara – librezat koreane të automjeteve duke manipuluar të dhënat që lidhen me datën e regjistrimit të parë të automjeteve, konkretisht, në dokumentet përkatëse është ndryshuar viti i regjistrimit të parë nga 2015 në 2016, me qëllim që automjetet të paraqiteshin si jo më të vjetra se dhjetë (10) vjet dhe, në këtë mënyrë, të mundësohej importimi i tyre në Republikën e Kosovës, në kundërshtim me nenin 44 paragrafi 2 të Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjete.
