Në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale në bashkëpunim me policinë, sot është zhvilluar operacion policor në Zubin Potok dhe Zveçan, në kuadër të hetimit mbi vrasjen e zyrtarit të EULEX-it, A.SH., me qëllim të verifikimit të informatave dhe identifikimit të provave relevante.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë kryer bastisje në dy lokacione në Zveçan dhe në shtatë lokacione në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to, vrasje të rëndë dhe sulm ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Gjatë operacionit, i cili është mbështetur edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, janë shoqëruar në polici shtatë persona, dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
