Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 gusht 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Sinisha Spasiqit, i cili ngarkohet se mori pjesë në ofensivën ushtarake serbe në fshatin Reznik të Vushtrrisë më 4 prill 1999, dhe bashkë me pjesëtarë të tjerë të armatosur, vranë anëtarët e familjes Ujkani.
Aktakuza ndaj Spasiqit u ngrit me propozim për vazhdim të paraburgimit, masë në të cilën ndodhet nga gushti i vitit të kaluar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Sinisha Spasiq i njohur me nofkën “Krcko” akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 4 prill 1999, rreth orës 15:00 në fshatin Reznik të Vushtrrisë, në bashkëpunim edhe me pjesëtarë të tjerë të uniformuar, së bashku me të akuzuarin Slagjan Trajkoviq (tani i dënuar nga shkalla e parë) dhe disa persona të tjerë të paidenfitikuar, i armatosur dhe i veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe, gjatë një aksioni nga këto forca, me qëllim të vrasjes së banorëve të pafajshëm civilë shqiptarë, fillimisht këto forca u vendosën në shtëpinë e Shaip Zenelit, të cilën shtëpi policia dhe ushtria serbe po e shfrytëzonin si shtab dhe nga aty merrnin urdhrat nga i akuzuari Zoran Kostiq (tani i dënuar nga shkalla e parë).
Aktakuza thotë se pasi merrnin urdhrin nga Kostiqi, filluan duke plaçkitur, djegur shtëpitë e shqiptarëve në fshatin Reznik, duke hyrë në shtëpitë e tyre dhe vranë anëtarët e familjes Ujkani (I.U., M.U., me bashkëshorte, B.U., kurse F.U., dhe S.U., i dogjën për së gjalli. F.U., po ashtu e vranë në ditën kritike, si dhe T.U., me bashkëshorten H.U., dhe pas vrasjes së tyre, ua vënë flakën shtëpive dhe dogjën disa prej vitimave.




