Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër E.Sh. dhe B.K., nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe kundër A.S., B.S. dhe tre personave juridikë, për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Sipas Prokurorisë, aktakuza është ngritur më 14 shtator 2026, ndërsa rasti përfshin dy kontrata për ndërtimin e rrugëve në Komunën e Suharekës, të lidhura në vitin 2021 dhe 2022.
“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër E.Sh., dhe B.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Aktakuzë është ngritur edhe “kundër A.S., dhe B.S., dhe ndaj personave juridik ‘K.H.’ Sh.P.K., ‘I.’ Sh.P.K dhe ‘H.S.’ Sh.P.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se, secili veç e veç e ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’ nga neni 415 par.3 lidhur me par.2 të KPRK-së”.
Sipas aktakuzës, në rastin e parë, që lidhet me kontratën e vitit 2022, E.Sh., në cilësinë e drejtorit për Shërbime Publike, Mjedis dhe Emergjenca në Komunën e Suharekës dhe mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, dhe B.K., në cilësinë e zyrtarit për menaxhimin e projekteve dhe menaxherit të kontratës, “gjatë menaxhimit dhe mbikëqyrjes së kontratës kanë pranuar dhe certifikuar punime si të realizuara, ndonëse nga verifikimet në terren është konstatuar se ato nuk ishin kryer sipas kontratës”.
“Po ashtu, sipas aktakuzës, nuk janë proceduar në pajtim me rregullat e prokurimit publik ndryshimet në pozicionet dhe lokacionet e punimeve”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, këto veprime “i kanë sjellë operatorit ekonomik përfitim prej 8,301.78 euro, duke i shkaktuar Komunës së Suharekës dëm në të njëjtën shumë”.
