Dy muaj pas shpalljes së aktgjykimit të parë, me të cilin u dënua me 25 vjet burgim në shkallë të parë, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, të martën, do të përballet me një tjetër vendim të Gjykatës Speciale në Hagë, kësaj radhe në rastin ku akuzohet për pengim të drejtësisë. Në këtë proces gjyqësor, përveç Thaçit, të akuzuar janë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Në prag të shpalljes së aktgjykimit, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe platforma “Liria ka Emër” shprehen skeptike për një vendim të drejtë, ndërkohë që nuk përjashtojnë organizimin e protestave, varësisht nga vendimi që do të merret.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se ka humbur besimin në Gjykatën Speciale, të cilën e konsideron të njëanshme dhe të padrejtë. Sipas tij, është vështirë të pritet një vendim pozitiv, duke marrë parasysh vendimin e 16 shtatorit ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit.
“Nuk mund të them se po presim diçka, në këtë gjykatë nuk kemi shpresa, na ka humbur besimi, sepse është e njëanshme, e padrejtë dhe nuk besoj se do të ketë mrekulli nga kjo gjykatë. Unë prapë do të jem besimtar dhe shpresoj që të paktën Evropa të tregojë se ka drejtësi ndaj neve. Me vendimin e parë që e ka bërë kjo gjykatë, prapë jam skeptik dhe nuk besoj aspak se kjo gjykatë nesër do të lirojë nga aktakuza të gjithë”, tha Gucati.
Sa i përket mundësisë së organizimit të protestave, Gucati thekson se një gjë e tillë nuk përjashtohet, por se për hapat e ardhshëm do të diskutohet në Këshillin Drejtues të organizatës. Ndërsa shpreh shpresën që gjykata të korrigjojë, siç e quan ai, gabimin e bërë me vendimin e parë.
“Ne protestat nuk i përjashtojmë kurrë, do të bisedojmë me këshillin drejtues për hapat e ardhshëm. Nesër do ta përcjellim seancën nga zyra jonë. Sa i përket protestave të paralajmëruara nga SHBA-të, ndoshta ata dinë diçka, ne nuk dimë, por ne si organizatë ende nuk kemi vendosur.. Për vendimin e parë jemi të pakënaqur e total të zhgënjyer me Gjykatën Speciale e cila bëri shkelje të të drejtave të njeriut dhe të burgosurve. Unë shpresoj se në gjykimin e dytë ta përmirësojnë gabimin me dënimin e parë, shpresoj të lirohen nga të gjitha aktakuzat, por nuk i besojmë kësaj gjykate fare”, tha Gucati.




