“Ta nxjerrim bashkinë nga gjendja në të cilën ndodhet për shkak të politikës dhe t’jua rikthejmë atë qytetarëve si një shtëpi për të gjithë ne”. Me këto fjalë aktori i njohur Florian Binaj ka vendosur të shpallë kandidaturën e tij në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë Tiranë, pas vendimit për shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt.
Në një postim në rrjetet sociale, Binaj shkruan se vendimin për të kandiduar e kanë marrë nisur nga nevoja që Tirana ka për t’u drejtuar nga një figurë që nuk vjen nga partitë politike, ndërsa ka shpalosur edhe objektivat e tij nëse merr mjaftueshëm vota nga qytetarët dhe të drejtojë Tiranën për 2 vitet e ardhshme.
Postimi i plotë:
Të dashur mikesha dhe miq, qytetarë të ndershëm punëshumë e fjalëpakë të kryeqytetit të Shqipërisë. Si një artist i përfshirë në çështje publike me interes Kombëtar prej 22 vitesh, si një kryefamiljar, i rritur në një kryeqytet i cili ka shkatërruar shumëçka në emër të zhvillimit dhe që shumë pak gjëra kanë mbetur ende pa u bërë ish, nisur nga nevoja e menjëhershme për të pasur në drejtim të kryeqytetit një figurë e cila nuk është gjymtyrë e asnjë partie pasi e kemi parë në 34 vite që kjo mënyrë jo e drejtpërdrejtë nuk ka qënë frytëdhënëse në përmirësimin e cilësisë së jetës tonë.
