Stambolli u përball me një ditë të vështirë pas shiut të rrëmbyeshëm. Rrugët u bllokuan nga trafiku i rënduar dhe disa lagje u përballën me përmbytje të shpejta.
Mes personave të bllokuar nga vërshimet e menjëhershme të ujit ishin edhe këngëtari i njohur Murat Boz dhe aktorja e famshme Demet Özdemir, të cilët po qëndronin në studio gjatë atyre momenteve.
Ngjarja ka ndodhur në Phoenix Stüdyoları në Ayazağa, ku uji ka depërtuar me shpejtësi brenda ambienteve dhe ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike. Përmes një postimi dramatik në rrjetet sociale, Murat Boz bëri thirrje urgjente për ndihmë te autoritetet emergjente:
“Jemi në zonën ku ndodhen Phoenix Stüdyoları në Ayazağa. Çdo gjë është nën ujë, studio po përmbytet dhe energjia elektrike është ndërprerë. Këtu jemi të bllokuar bashkë me qindra punonjës. Presim mbështetje urgjente nga autoritetet”.
Ndërkohë që situata përkeqësohej, Boz vazhdoi me një tjetër mesazh ku tregoi se uji po arrinte lartësi kritike:
“Tani po ngjitemi në pikën e fundit ku mund të ngjitemi… Ju lutem, na evakuoni me urgjencë. Këtu ka gra dhe të rinj”.


