Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka akuzuar Listën Serbe dhe strukturat politike të lidhura me presidentin serb Aleksandër Vuçiq për presion sistematik ndaj serbëve të Kosovës në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit. Rashiq, i cili është edhe kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, thotë se klima politike në komunitetin serb është rënduar ndjeshëm dhe se, sipas tij, po përdoren metoda të frikësimit psikologjik, institucional dhe fizik për të siguruar mbështetje politike për Listën Serbe.
Ai, në intervistën zgjedhore të KosovaPress, e cilëson subjektin e drejtuar nga Zlatan Elek si “degë të SNS-it të Vuçiqit”, duke pretenduar se mënyra e funksionimit të saj është e ngjashme me strukturat autoritare në Serbi. Sipas ministrit të vetëm serb në qeveritë “Kurti 2” dhe “Kurti 3”, presioni politik por edhe fizik ndaj qytetarëve është intensifikuar më shumë se në proceset e mëparshme zgjedhore.
“Kësaj radhe një ekstremizëm shtesë është shtuar në këtë proces, sepse unë e di çfarë është arsyeja në nivelin rajonal, dhe në Serbi në veçanti, sikur që e dini, Lista Serbe është një ekspoziturë ose një degë e SNS-it të Vuçiqit, njëri i cili është një diktator i paparë më herët dhe unë e di mënyrën se si funksionojnë, qoftë nga aspekti politik, ashtu edhe në aspektin më ekstrem, sikur që e kemi pasur rastin në Banjskë… 03:00 Atje, sikur në kohën e Gestapos, siç ma kanë përshkruar, unë nuk kam qenë, kanë disa dhoma, jo zyra të përshtatshme për maltretime fizike dhe psikike dhe aty bëjnë presion duke u treguar se të gjithë duhet të votojnë Listën Serbe, sepse në këtë rast, nëse votoni për Rashiqin, humbni vendin e punës dhe krejt benefitet që potencialisht i kanë, dhe jo vetëm ata personalisht, por edhe anëtarët e familjes së tyre. Prandaj mbi 20 persona kanë humbur, po flas vetëm për rajonin e Graçanicës”, thotë ai.
Ai tregon se persona të afërt me të janë ndaluar në kufi nga zyrtarë që prezantohen si përfaqësues të shërbimeve serbe të sigurisë, nga të cilët sipas tij janë marrë në pyetje për orë të tëra.
Qytetarët serbë, thotë ai po ndalohen në kufirin në Merdarë dhe po u kërkohet të sjellin foto që garantojnë votën për Listën Serbe.
“Strukturë e tërë e diktaturës që e kemi momentalisht në Beograd. (A është prapa Vuçiq?) Absolutisht, ky është ‘mastermind’, siç thuhet, në krejt këto procese dhe e dimë si ka vepruar deri më tani dhe po vazhdon të veprojë në të njëjtën formë. Po ju rikujtoj se në çdo proces zgjedhor, bashkëpunëtorët e mi, ata që janë identifikuar si aktivistë të mi, sikur edhe shokët e mi të cilët nuk kanë lidhje me politikë, janë ndalur në kufi… Secili prej tyre që është i angazhuar e ka për detyrim që për çdo vend pune që e kanë, të sjellin 10 foto të votave të cilat garantojnë se kanë votuar për Listën Serbe. E dyta, secili prej tyre duhet të sjellë së paku tre familjarë nga Serbia në Kosovë që të votojnë prapë për Listën Serbe. Prandaj, një shantazh në përmasa që i tejkalon të gjithë kufijtë normalë që i kemi pasur deri më tani. Një konkludim i shkurtër sa i përket pyetjes suaj: po, gjithmonë kemi pasur këto presione, por tani është edhe një nivel më lart, i cili me të vërtetë ka tejkaluar të gjithë kufijtë e normalitetit ose të asaj që një njeri mund ta imagjinojë se mund të ndodhë në të ardhmen”, deklaron Rashiq.
