Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar pas “Marshit për Liri” të mbajtur sot në Prishtinë, ku morën pjesë mijëra qytetarë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka thënë se marshimi ishte një dëshmi e fuqishme se liria vazhdon të mbetet një vlerë që duhet të mbrohet dhe dëshmohet
“Sot, në Prishtinë, marshuam për Lirinë dhe në mbështetje të Çlirimtarëve.
Ky marshim ishte një dëshmi e fuqishme se liria nuk është vetëm kujtim i një të kaluare të lavdishme, por vlerë që mbrohet dhe dëshmohet çdo ditë. Kosova sot foli fuqishëm, duke shprehur mirënjohjen për ata që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin e saj”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka theksuar se, sipas tij, qytetarët dhanë një mesazh të qartë në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Sot, populli shqiptar e dha verdiktin e tij të qartë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin i shpall TË PAFAJSHËM❗️”, ka shkruar lideri i BDI-së.
Ahmeti ka vlerësuar gjithashtu rolin e UÇK-së në historinë e Kosovës dhe ka thënë se nga Prishtina është përcjellë mesazhi se drejtësia dhe liria duhet të ecin së bashku.
“UÇK-ja është pjesë e historisë së Kosovës dhe e kujtesës së përbashkët të të gjithë atyre që besuan dhe luftuan për lirinë. Nga Prishtina, sot përcollëm mesazhin se drejtësia dhe liria duhet të ecin bashkë”, ka shkruar ai.
Në fund të postimit, Ahmeti ka përshëndetur dëshmorët e lirisë.




