Ali Sefaj ka reaguar me një shkrim të ashpër për vrasjen e grave, neglizhencën e shtetit dhe paragjykimet shoqërore ndaj viktimave të dhunës.
Sefaj ka kritikuar mënyrën se si shoqëria i trajton gratë që përjetojnë dhunë, duke përmendur edhe vajzat që morën armët dhe luftuan në UÇK, të cilat, sipas tij, janë përballur me paragjykime dhe etiketime poshtëruese.
Ai ka theksuar se edhe gratë që denoncojnë dhunën dhe kërkojnë strehim përballen me përgojime e gjykime, në vend që të marrin mbështetjen dhe mbrojtjen e nevojshme.
Shkrimi:
Gratë si vret vetëm vrasësi dhe neglizhenca e shtetit. I vrasim edhe na, si shoqni!
Jemi aq shoqni e poshtër, sa vajzat ma të mira të këtij kombi, që moren armët dhe luftuan në UÇK, i kemi quajtë prapa shpine të lazdruara dhe kurva. Shumë prej tyre kanë mbetë pa u martu, edhe për shkak të ktyre paragjykimeve.
Edhe gratë që e denoncojnë dhunën dhe kërkojnë shpëtim në qendra strehimi, i përgojojmë, i poshtërojmë dhe i quajmë të lazdrume dhe kurva.
Pastaj del një grua si Arlinda, që nuk heq dorë nga fëmija, shtëpia dhe të drejtat e saj, edhe pse e di se do ta paguajë me jetë. Del me na e përplasë në fytyrë krejt poshtërsinë tonë, me na kallxu çfarë shoqnie e kalbtë jemi!
Gratë i vrasin kriminelët, i lë pa mbrojtje shteti dhe i dënon shoqnia me paragjykime, përgojime e poshtërime. E kur vriten, dalim i vajtojmë pikërisht ato gra që nuk patëm guxim as me i mbrojtë, as me i respektu sa ishin gjallë.
Shoqni e kalbtë! Shoqni që gruan e gjykon kur kërkon të drejtat e saj dhe e shpall heroinë vetëm pasi ia marrin jetën!