Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar të martën me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Wylita Bell.
Për takimin ka njoftuar edhe Ambasada Amerikane në Kosovë, e cila ka theksuar përkushtimin për bashkëpunim me institucionet e vendit në avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
Në njoftimin e ambasadës thuhet se bashkëpunimi do të përqendrohet, ndër të tjera, në paqen dhe stabilitetin rajonal, si dhe në prosperitetin e ndërsjellë.
