Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka paralajmëruar shtetasit amerikanë që ndodhen në Kosovë për protesta që po zhvillohen në Prishtinë dhe që pritet të vazhdojnë edhe gjatë javëve të ardhshme.
Në njoftimin e publikuar të enjten, më 12 nëntor, Ambasada bën të ditur se pjesëmarrësit në protesta pritet të mblidhen kryesisht në qendër të kryeqytetit, ndërsa tubimet mund të zgjerohen me shpejtësi edhe në zonat përreth, pa paralajmërim të mjaftueshëm.
Sipas Ambasadës, protestat dhe tubimet e mëdha mund të nisin në mënyrë paqësore, “por të përshkallëzohen shpejt pa paralajmërim, duke shkaktuar pengesa në trafik, në shërbime dhe, në disa raste, mbyllje të rrugëve”.
“Personeli i Ambasadës në Prishtinë gjithmonë këshillohet që të shmangë protestat dhe tubimet e mëdha”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ambasadës.




