Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Kosovë, diplomati gjerman Dirk Schuebel, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës, duke theksuar se funksionaliteti i tyre është i domosdoshëm për zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e mbështetjes së ofruar nga BE-ja.
Në një komunikatë të Zyrës së BE-së në Kosovë, me rastin e marrjes së detyrës, Schuebel tha se Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe efektive, të afta për të përmbushur reformat e nevojshme dhe për të përfituar nga mekanizmat financiarë të Bashkimit Evropian.
“Për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj, Kosovës i duhen institucione funksionale, të afta për t’i zbatuar reformat e nevojshme dhe për ta shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes të BE-së dhe financimin e ardhshëm mjaft të konsiderueshëm të IPA-s”, tha Schuebel.
Sipas tij, Kosova ndodhet përpara një periudhe me mundësi të rëndësishme, por shfrytëzimi i tyre kërkon përgjegjësi politike, institucione efektive dhe një fokus të qartë në reformat dhe agjendën e integrimit evropian.
Schuebel tha se gjatë mandatit të tij do të punojë me institucionet e Kosovës për ta mbështetur vendin në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Do ta mbështes të ardhmen evropiane të Kosovës. Puna drejt saj kërkon angazhimin e tërë shoqërisë dhe përkushtim të përbashkët për ta bërë integrimin në BE prioritet, përtej ndarjeve politike”, deklaroi ai.
Ambasadori i ri i BE-së theksoi gjithashtu rëndësinë e angazhimit konstruktiv të Kosovës në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian me Serbinë.
Ai tha se do të mbështesë përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun, Peter Sorensen.




