Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë “barrikaduar” sërish hyrjen e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, e ka cilësuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, “uzurpator”, duke thënë se ai nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe atë të kryeministrit.
“Ne, deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, jemi sërish këtu për t’i dhënë një mesazh të qartë deputetit Albin Kurti se fillimisht në këtë zyrë, në këtë ndërtesë është uzurpator, për shkak se në këtë vend nuk mund të jesh edhe deputet edhe kryeministër. Prandaj çdo ditë, çdo vendim që e merr në këtë ndërtesë është i paligjshëm dhe sigurisht që do të trajtohet në organet e drejtësisë kurdo që të vjen mundësia për t’i trajtuar këto vendime të cilat po vazhdon me i marrë pa pasur drejtë të ushtrojë rolin e kryeministrit”, tha ai.
Mustafa tha se deputetët duhet të jenë në Kuvend dhe kërkoi nga Kurti që, sipas tij, t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.
“Deputetët e kanë vendin në Kuvend dhe aty duhet të jetë edhe deputeti Kurti për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit, krijimit të institucioneve dhe kthimit të vendit në normalitet. Kjo situatë është e padurueshme. Shteti nuk mund të mbetet peng i asnjë politikani. Kushtetuta, rregullorja e punës së Kuvendit janë të qarta. Nuk mundet askush të vendosë se kur do t’i zbatojë e kur nuk do t’i zbatojë. Në atë ditë kur një politikan vendos se cilin rregull, cilin ligj, cilin nen të Kushtetutës do ta zbatojë e cilin nuk do ta zbatojë, mund të themi lirisht se vendi është në rrezik të madh për shkak se po rrëshqet drejt autokracisë. Dhe për atë arsye, ne jemi këtu në mbrojtje të shtetit, në mbrojtje të demokracisë dhe nuk do të ndalemi derisa ta kthejmë vendin në normalitet, në binarë kushtetues dhe t’i japim vendit institucionet të cilat do t’i adresojnë nevojat e mëdha që i ka vendi”, tha ai.




