Avokati i njohur Arianit Koci ka reaguar me tone të ashpra ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët, sipas tij, po marrin rroga të plota pavarësisht faktit se nuk po e kryejnë punën për të cilën janë zgjedhur.
Në një postim të bërë në rrjete sociale, Koci ka thënë se është turp i madh që deputetët vazhdojnë të paguhen, ndërkohë që Kuvendi është jashtë funksionit prej muajsh, e populli – sipas tij – është në gjendje të rëndë ekonomike.
“Turp! Turp! Turp! Po e hanë djersën e popullit më të varfër në Evropë,” shkruan ai, duke shtuar se qytetarëve që mezi mbijetojnë po u merren taksat për t’ua mbushur xhepat atyre që nuk po bëjnë asgjë.
Koci ka bërë thirrje që deputetët, së paku, ta dhurojnë një pjesë të rrogës për njerëzit në nevojë, duke e cilësuar këtë si një “minimum moral” që duhet ta përmbushin.
