Ish-komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj, i cili u lirua më 17 nëntor nga Gjykata Speciale, në një rrëfim të padëgjuar më parë, ka treguar se si ishte jeta brenda mureve të paraburgimit pranë Dhomave të Specializuara. Në një intervistë për RTV21, Kilaj tha se gjatë kohës së paraburgimit u kanë sjellë ushqime të ngrira, të cilat, sipas tij, kanë qenë të pangrënshme.Sic thotë, me atë llojë ushqimi nuk mund të mbijetohet.
“Një shujtë 24-orëshe është kur ata na e sjellin në orën 11:00. Është një ushqim i ngrirë, tamam sikur në dasma, në një pjatë të sheshtë plastike, së bashku me pirunë. Ushqimet janë të ngrira, që sigurisht kanë qëndruar me muaj ose me vite. I ngrohin ato në mikrovalë dhe na i sjellin, por edhe për shkak të melmesave që përdorin, si dhe faktit që ushqimi ka qëndruar shumë gjatë, ai është i pangrënshëm. Ne kemi bërë vazhdimisht vërejtje. Iu kemi drejtuar Ombudspersonit në Hagë dhe drejtorisë së Gjykatës aty, por asnjëherë nuk kanë ndërmarrë veprime për ta ndryshuar mënyrën e përgatitjes apo llojin e ushqimit që u shërbehet të burgosurve”.




