Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, ka vlerësuar se pas vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Kosova rrezikon të përballet me izolim më të madh politik e diplomatik, duke paralajmëruar pasoja edhe në zhvillimin e vendit dhe perspektivën e të rinjve.
Arifi në një intervistë për Ekonomia Online thotë se Kosova nuk rrezikon të zhduket fizikisht, por sipas tij, izolimi dhe mungesa e zhvillimit mund të ndikojnë drejtpërdrejt në perspektivën e qytetarëve, veçanërisht të profesionistëve të rinj.
“Për Kosovën nuk ka më çka të pritet. Ne edhe ashtu kemi qenë të izoluar, tash do të izolohemi edhe më shumë. Pra nuk është që Kosova do të zhduket, por esenca është që nuk do të zhvillohet. E kur nuk zhvillohesh është sikur të jesh, si me thënë, i zhdukur. Kuptimi i asaj që kur njerëzit e rinj nuk shohin perspektivë në një vend i cili nuk mund të zhvillohet, perspektiva humb, humb vullneti, humb dëshira për të punuar, dhe njerëzit e rinj me siguri do të largohen me masë të madhe nga Kosova, po flas për profesionistët”, tha ai.
Ai ka deklaruar se pasojat mund të jenë edhe në aspektin diplomatik, duke theksuar se një shtet mund të mos e tërheqë njohjen e Kosovës, por të ulë bashkëpunimin bilateral apo të abstenojë në procese ku Kosovës i nevojitet mbështetje.
“Kosova politikisht izolohet. Fizikisht do të qëndrojë këtu se nuk mund ta zhdukin, por nëse politikisht izolohet dhe diplomatikisht dëmtohet, do të jetë shumë e vështirë të flasim për integrime evropiane. Do të jetë për mua e pamundur të flasim për një Kosovë multietnike. Kjo përfundoi atë ditë. Pra nuk ka Kosovë multietnike nëse nuk ka kthim në pikën zero. Pra, një rigjykim (për ish-krerët në Hagë, që janë dënuar) në Britani pra me gjykatës shumë më të pavarur, pra ne nuk jemi kundër drejtësisë. Por të njëjtën akuzë ta zhvendosim në Londër dhe ta shohim se si do të kalojë i gjithë procesi. Pra, duhet të kemi fantazi politiko-juridike që të kërkojmë po drejtësi, por të zhvendoset për shkak se ky proces është i komprometuar totalisht”, tha ai për Ekonomia Online.
Arifi ka thënë se edhe në rast se njohjet ndërkombëtare të Kosovës nuk tërhiqen, sipas tij, zbehja e bashkëpunimit bilateral mund të paraqesë një formë izolimi diplomatik.




