Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk është takuar me përfaqësuesit e Aleancës që kur kjo parti i kishte dërguar ofertën për bashkëpunim.
Në emisionin FIVE, Arifi tha se që nga ajo kohë Kurti nuk i ka ftuar në takim dhe, sipas tij, as nuk ka dhënë përgjigje për gjashtë pikat e propozuara nga Aleanca.
“Ne më 26 qershor e kemi bërë ftesën. Prej 26 qershorit ka kaluar një muaj, ai as nuk na ka përfillur, bile i ka vendosur disa deputetë me na fyer se jemi parti e vogël. Ai është dashur të na ftojë, ne më 26 qershor ia kemi bërë ofertën. Ai është dashur të flasë diçka, bile të thotë që këto gjashtë pika nuk mundem, nuk dua, nuk janë pjesë e programit tim. Ai as nuk ka dashur të flasë për këtë punë”, tha Arifi.
Arifi tha se Aleanca ka ofruar mundësi për sigurimin e shtatë votave, duke mohuar pretendimet se partia e tij i ka vendosur kushte Kurtit dhe nuk ka pranuar të takohet me të.
“Nuk mund të thuash që Aleanca i ka vendosur kushte edhe nuk i ka shkuar kryeministrit. Të dyja janë rrena të pasakta. Ne i kemi ofruar mundësi shumë të lehtë për të pasur ato shtatë vota”, deklaroi ai.
Sipas Arifit, Aleanca nuk është tërhequr nga gjashtë pikat e propozuara dhe Kurti ende mund të kërkojë diskutimin për to.




