Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Lajme

Arifi: Po neglizhohet çështja e Speciales, kërkohet urgjentisht task-forcë shtetërore

GD
Gazeta Demos10 tetor 2026 në 16:20
Arifi: Po neglizhohet çështja e Speciales, kërkohet urgjentisht task-forcë shtetërore

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe partitë politike për, siç tha, neglizhencën në trajtimin e çështjes së Dhomave të Specializuara, duke kërkuar themelimin urgjent të një task-force shtetërore me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Arifi ka thënë se pas zgjedhjes së presidentes së re, Justina Shiroka-Pula, institucionet është dashur të veprojnë më shpejt dhe të caktojnë një koordinator jopartiak që do ta udhëhiqte task-forcën, në koordinim me partitë politike shqiptare.

“Po, hapi i parë është përfunduar, ajo unifikimi i spektrit shqiptar, të paktën i një pjese të madhe, që për këtë çështjen e Gjykatës Speciale ta kemi një zë nga brenda, sepse pa këtë zë nga brenda do ta kishim të pamundur që të lobonim apo ta kishim një diplomaci më efektive. Kjo u arrit. Tash edhe presidenca është bërë, që është një çështje, institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm për procesin e mëtejshëm, mirëpo pashë prapë një neglizhencë edhe nga të gjitha institucionet, edhe nga parlamenti, edhe nga qeveria, sepse këto janë institucione që do të duhej të lëviznin më shpejt, sepse presidenca sapo ka ardhur, ndoshta ende derisa të adaptohet, nuk i kupton disa gjëra, mirëpo unë kam pritur nga kryeministri që të paktën të caktojë dikë që do ta udhëheqë task-forcën. Pra, kuptohet në koordinim me partitë politike shqiptare, sepse ajo është gjëja më e rëndësishme”, tha ai për EO.

Sipas Arifit, task-forca nuk duhet të përbëhet vetëm nga përfaqësues të partive politike, por nga ekspertë që do të hartonin një strategji juridike dhe politike për trajtimin e çështjes së Dhomave të Specializuara.

Ai ka kritikuar edhe Partinë Demokratike të Kosovës, duke thënë se nuk po ndërmerr hapa lidhur me këtë çështje, ndonëse është pikërisht kjo parti që ka iniciuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Sepse task-forca më pas duhet të përbëhet nga ekspertë e jo nga njerëz vetëm të partive politike, por nga ekspertë të cilët do ta trajtojnë çështjen, do ta ndërtojnë një strategji mbi të cilën, në aspektin juridik dhe politik, do të përcaktohet se si duhet ne t’i qasemi gjithë këtij narracioni. Këtë e kam pritur që të enjten, nuk e pashë. Këtu përgjegjësi të madhe ka edhe Partia Demokratike e Kosovës, që nuk po reagon në kohën kur duhet reaguar. Pra, tash duhet të kërkohet task-forca, sepse vetëm ajo është pikënisja e ndërtimit të një strategjie shtetërore, e cila do të duhej ta kishte një trekëndësh gjithsesi: parlamenti, presidenca dhe qeveria. Nëse ky trekëndësh nuk bëhet mbi bazën e kësaj çështjeje, që edhe task-forca të funksionojë si e tillë, unë atëherë po e shoh që, në njëfarë mënyre, ne po mendojmë që e kemi përfunduar punën”, tha ai.

Arifi ka vlerësuar se Presidenca mund të luajë rol të rëndësishëm në këtë proces, por ka kërkuar reformim të politikës së jashtme dhe angazhim më të madh diplomatik, fillimisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më pas me kryeqytetet e Bashkimit Evropian.

“Absolutisht besoj që Presidenca mund të luajë një rol jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm në këtë proces. Por duhet një reformatizim i tërësishëm i politikës së jashtme. Pra, të udhëhiqet më shumë nga Presidenca, diplomatët, edhe aty kërkohet një reformatizim i thellë i diplomatëve. Duhet të dërgohen njerëz profesionistë, njerëz që kanë shumë më tepër bagazh sesa në disa ambasada ku janë vendosur persona politikë apo persona të afërt me partitë politike, sidomos me këto në pushtet. Dhe duhet që me SHBA-në, e cila është adresa e parë, të bëhet ajo që duhet. Duhet të jemi shumë të sinqertë dhe konkretë, që të mos fantazojmë gjëra të tjera, por duhet një adresë që ta kemi në Washington DC, dhe mandej, normalisht, në kryeqytetet e Bashkimit Evropian, që ta shpjegojmë komplet problematikën: çka po kërkon Kosova dhe për çka është krejt ky problem që është bërë me Ligjin për Dhomat e Specializuara. Sepse po vërehet që nuk e kemi elaboruar mjaftueshëm mirë se çka kemi dashur të prodhojmë dhe çka po dëshirojmë të arrijmë me këtë ligj”, tha ai.

Duke komentuar qëndrimet e Bashkimit Evropian për këtë çështje, Arifi ka thënë se, sipas tij, ekziston një dallim ndërmjet deklarimeve të presidentes së Komisionit Evropian dhe zëdhënësit të BE-së, por se të dyja palët kanë shprehur shqetësim. Ai ka vlerësuar se Kosova duhet të shpjegojë më qartë synimet e saj lidhur me ligjin.

“Shikoni, tash këtu ka një kontradiktë mes asaj që ka thënë presidentja e Komisionit Evropian. Unë besoj që, për nga pozicioni politik, është më e rëndësishme sesa një zëdhënës i BE-së, pavarësisht që ne e dimë që zëdhënësi i BE-së edhe ai ka një peshë, por presidentja e Komisionit Evropian, unë besoj, ka më shumë peshë politike, jo vetëm institucionale. Dhe këtu ka një dallim mes asaj që tha ajo dhe asaj që tha BE-ja. Por, në të dyja kontekstet, kuptohet që ata e kanë një shqetësim. Pra, nuk do të thotë a priori që ata janë kundër çdo gjëje. Por e kanë një shqetësim. Tash detyra jonë, shkathtësia jonë, zhdërvjelltësia jonë diplomatike do të duhej t’ua shpjegonim se për çka qëndrojmë dhe çka po kërkojmë me këtë ligj: pra, jo çbërjen, por kornizimin, transparencën, rregullimin, ashtu siç e ka çdo shtet i Bashkimit Evropian. Dhe, mbi të gjitha, drejtësia për të gjithë. Pra, kur them për të gjithë, nënkuptojmë për të gjitha palët e përfshira në këtë proces. Kështu që këto janë reagime normale në këtë fazë fillestare, në fazën e parë”, tha ai.

Profesori ka kritikuar edhe ritmin e veprimeve të Qeverisë dhe Presidencës, duke thënë se Kosova duhet të nisë dialogun me Bashkimin Evropian për këtë çështje dhe të krijojë një mekanizëm koordinues që do të përfshinte ekspertizë vendore e ndërkombëtare.

“Faza e dytë, tash, ne sot do të duhej ta nisnim realisht edhe dialogun me Bashkimin Evropian mbi këtë çështje, por ja që Qeveria e Kosovës, tash edhe Presidenca ndoshta mund t’i bashkëngjitet kësaj radhe, ende po punojnë me hapa të breshkës, bile kisha thënë se as me këta hapa nuk jemi duke punuar. Prandaj e thashë, e potencova që e kam pritur që të paktën Qeveria, në koordinim me Presidencën dhe me partitë parlamentare shqiptare, ta gjejë një emër që nuk është i një partie politike. Ky është gabimi i madh. Ai duhet të jetë një person jopartiak, se politikë kemi të gjithë, por jo partiak, i cili do ta udhëheqë task-forcën. Pra, ai është njëfarë lloj koordinatori i asaj task-force që do të përbëhet nga ekspertë vendorë edhe ndërkombëtarë. Vetëm në këtë formë ne mund t’i qasemi kësaj çështjeje me një seriozitet që deri tash nuk e kemi bërë asnjëherë. Pra, nëse edhe në këtë pikë nuk e kemi atë seriozitetin dhe nëse i lëmë punët ashtu siç i lëmë, nuk do të arrijmë sukses”, tha ai.

arifishtetërorepolitike

Të ngjashme

Hamza në 27-vjetorin e PDK-së: Jemi forca politike me kontributin më të madh në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës

Hamza në 27-vjetorin e PDK-së: Jemi forca politike me kontributin më të madh në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës

11:32
Vonesat në formimin e institucioneve, a është i nevojshëm ndryshimi i Kushtetutës?

Vonesat në formimin e institucioneve, a është i nevojshëm ndryshimi i Kushtetutës?

23:41
A nisi Qeveria punën për strategjinë shtetërore për Hagën?

A nisi Qeveria punën për strategjinë shtetërore për Hagën?

22:32
Ermal Sadiku për prezencën e LDK-së në seancë: Asnjë parti s’ka hy në sallë pa marrëveshje politike, partia e parë në historinë e Kosovës

Ermal Sadiku për prezencën e LDK-së në seancë: Asnjë parti s’ka hy në sallë pa marrëveshje politike, partia e parë në historinë e Kosovës

21:35

Më shumë nga Lajme

  • 17:48Prishtinë: Arrestohet 41-vjeçari i dënuar me 18 muaj burgim për vjedhje grabitqare
  • 17:26Vjosa Osmani krah motrës së saj, një foto e ëmbël që përcjell dashuri
  • 17:26Kërçeli ngre dyshime mbi keqpërdorimet për projekte komunale në emër të UÇK-së, drejton gishtin kah Rama
  • 17:04Lladrovci: PDK i dha drejtim historisë së re të Kosovës dhe kombit
  • 16:37Nis protesta në Bruksel, kërkohet drejtësi për çlirimtarët