Dy persona janë arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar”.
Sipas njoftimit, të dyshuarit, H.L. dhe T.M., shtetas kosovarë, dyshohet se në cilësinë e drejtorit dhe menaxherit të një kompanie kanë përfituar dy grante në vlerë të përgjithshme prej 575 mijë e 736 eurosh.
Hetimet kanë zbuluar dyshime se nga granti i parë, në vlerë prej 293 mijë e 500 eurosh, janë keqpërdorur 23 mijë euro, ndërsa nga granti i dytë, prej 282 mijë e 236 eurosh, dyshohet se janë keqpërdorur 39 mijë e 902 euro.
Sipas autoriteteve, keqpërdorimi i mjeteve është realizuar përmes raportimeve të rreme se shpenzimet për blerjen e makinerive ishin realizuar në tërësi.




