Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala, është arrestuar gjatë një aksioni të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sistemi Prokurorial bën me dije se prokurori është prangosur në vendin e tij të punës, dhe dyshohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

“I dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës. Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.