Asamblistja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fjolla Vukshinaj-Reçica, ka deklaruar sot para Qeverisë së Kosovës se mosfunksionimi i Kuvendit nuk është vetëm çështje e debatit politik, por një bllokadë që, sipas saj, po prek drejtpërdrejt qytetarët, komunat dhe projektet zhvillimore.
Vukshinaj-Reçica tha se si përfaqësuese lokale dhe qytetare është aty për të ngritur zërin për njerëzit që çdo ditë presin që institucionet, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror, të funksionojnë dhe t’u japin zgjidhje problemeve të tyre.
“Bllokimi i Kuvendit të Kosovës nuk është një debat abstrakt politik. Nuk është vetëm një derë e mbyllur në këtë ndërtesë. Pas çdo dite që Kuvendi mbahet i bllokuar, është një qytetar që pret, një familje që ka një hall, një komunë që ka një projekt dhe një nevojë që mbetet pa zë”, tha ajo.
Asamblistja e Prishtinës përmendi disa shembuj të qytetarëve nga komuna të ndryshme, nga ndërmarrësit dhe fermerët, deri te studentët, punëtorët, pensionistët dhe familjet që presin shërbime më të mira nga shteti.
Ajo tha se një ndërmarrës në Ferizaj pret kushte më të mira për biznes, një fermer në Rahovec mbështetje për prodhimin, një student në Gjilan mundësi për arsim dhe punësim, ndërsa pensionistët dhe familjet në gjithë vendin përballen çdo ditë me kostot e jetesës.
“Këto janë pasojat reale të institucioneve të bllokuara. Sepse një Kuvend që nuk funksionon nuk mund t’i trajtojë siç duhet nevojat e qytetarëve, nuk mund të zhvillojë debatin për politikat dhe buxhetet që u duhen komunave dhe nuk mund t’i mbajë institucionet përgjegjëse”, deklaroi Vukshinaj-Reçica.
Sipas saj, kur Kuvendi bllokohet, nuk bllokohen vetëm deputetët, por edhe zëri i qytetarëve që i kanë zgjedhur ata.




