Institucionet e Kosovës, përfshirë Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Presidenten Vjosa Osmani, Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, dhe funksionarë të tjerë shtetërorë, nuk e kanë thënë asnjë fjalë lidhur me protestën masive që u mbajt në Hagë të Holandës kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Përveç Kurtit, reagim nuk pati as nga eksponentët e tjerë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse kjo parti me vite ka mbajtur si flamur politik faktin që nuk kishte votuar për themelimin e kësaj gjykate. Një parti që sa ishte në opozitë, protestën e kishte kryefjalë të funksionimit të saj politik, sot zgjodhi heshtjen para protestës më të madhe shqiptare në Hagë.
I vetmi reagim nga VV erdhi prej deputetes Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, i cili po akuzohet nga Specialja për krime të pretenduara lufte. “Protestë e domosdoshme dhe në vendin e duhur! Shpreh mirënjohjen time dhe i falënderoj të gjithë qytetarët nga Kosova dhe nga mbarë bota që u bashkuan në Hagë, për të ngritur zërin kundër padrejtësive që po ndodhin”, shkroi ajo në Facebook.
Ndryshe nga heshtja e shtetit të Kosovës, protesta në Hagë u përshëndet hapur nga Tirana. Kryeministri Edi Rama, në prag të fillimit të saj, publikoi një reagim mbështetës: “Liria ka emër. Me zemër e mendje jam edhe unë atje sot Komandant. Liri për çlirimtarët”, shkroi Rama në Facebook, ku ndau edhe një video.
Mbështetje publike dha edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, i cili në rrjete sociale u rreshtua në krah të ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar protestën një akt të drejtësisë kundër padrejtësive të Speciales.
