Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar masa kufizuese ndaj prodhimit dhe shpërndarjes së produkteve të kompanisë BUQUKU SH.P.K. në Pejë, pasi në produktin “Suxhuk shtëpiak” është identifikuar prania e ADN-së së pulës, ndonëse në deklaracion figurojnë vetëm mishi dhe yndyra e lopës.
Sipas njoftimit të AUV-së, mostra është marrë nga inspektorët dhe është analizuar në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari. Rezultatet kanë konfirmuar praninë e ADN-së së gjedhit dhe pulës, ndërsa ADN-ja e derrit nuk është detektuar.
AUV ka sqaruar se analiza konfirmon praninë e ADN-së së pulës, por nuk përcakton llojin, sasinë apo burimin e materialit të përdorur. Për këtë arsye, verifikimet e mëtejshme do të përcaktojnë nëse është përdorur mish pule i ndarë mekanikisht apo përbërës të tjerë me origjinë nga pula.
Pas rezultateve laboratorike, inspektorët kanë kryer kontroll zyrtar te kompania, ku janë bllokuar gjithsej 178 kilogramë produkte: 120 kilogramë suxhuk “Kalorik” dhe 58 kilogramë suxhuk shtëpiak. Po ashtu, është urdhëruar ndalimi i prodhimit të suxhukut dhe tërheqja e produkteve nga pikat e shpërndarjes.

