Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar 70 inspektime në kuadër të aksionit për mbikëqyrjen e tregtisë online, duke shqiptuar gjoba ndaj tri kompanive postare dhe dy personave fizikë që ushtronin veprimtari tregtare pa biznes të regjistruar.
Sipas njoftimit të IQMT-së, tri kompanitë e shërbimeve postare janë gjobitur me gjithsej 9 mijë euro, pasi kishin refuzuar të ofronin të dhëna për bizneset apo personat fizikë nga të cilët kishin pranuar produktet që transportonin dhe shpërndanin te konsumatorët.
Ndërkohë, përmes monitorimit të rrjeteve sociale dhe platformave online të shitjes, inspektorët kanë identifikuar edhe dy persona fizikë që ushtronin veprimtari tregtare pa pasur biznes të regjistruar. Edhe ndaj tyre janë shqiptuar gjoba, ndërsa u është kërkuar që brenda afatit të përcaktuar të regjistrojnë bizneset e tyre.
IQMT ka bërë të ditur se si rezultat i aktiviteteve inspektuese, deri më tani janë formalizuar mbi 100 biznese, të cilat janë regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

