Avokati i Popullit, Naim Qelaj, deklaroi sot se Kosova ka nevojë për një diskutim në nivel nacional për të vendosur barazinë gjinore, dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje si interes nacional.
Ai këto komente i bëri sot gjatë takimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, ku është diskutuar edhe mbi rastin tragjik të vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Qelaj tha se rasti i Arlinda Zekajt ka treguar se mund të ketë pasur dështime të shtetit në parandalimin e rasteve të tilla.
“Shihni rastin e fundit, ndërhyjnë familjarë që nuk kanë të drejta pronësore dhe vije deri te një rast tragjik, natyrisht me dështimin e shtetit, nëse konstatohet që ka pasur dështime, e po shihet se mund të ketë pasur dështime. Një prej qëndrimeve të mija dhe rekomandimeve që e kam dhënë është se Kosova ka nevojë për një diskutim në nivel nacional për të vendosur barazinë gjinore, dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje si interes nacional dhe jo të diskutohet vetëm në nivel të rasteve të izoluara. Për këtë besoj jemi vonë, por më mirë të fillojmë tash. Rastin e fundit e kemi hapur për hetim. Ekzistojnë një numër i madh i mekanizmave ku adresohen, e keni parë se ku e ndjera është adresuar, është adresuar në polici, prokurori, Qendrën për Punë Sociale, te Mbrojtësi i Viktimave e te shumë mekanizma që duhet të reagojnë, duke e përfshirë këtu edhe nivelin lokal, pra edhe Komuna e Pejës është e përfshirë”, tha Qelaj.




