Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur në favor të Sali Bashotës, Agron Gashit, Petrit Musollit, Fadil Miftarit dhe Lirim Gecit, të cilët, nëpërmjet avokatit të njohur Labinot Vata, e kishin paditur Kuvendin e Kosovës në vitin 2021 për shkarkimin nga pozita e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Gjykata ka vendosur që anëtarët e shkarkuar të kompensohen për kohën e mbetur të mandatit të tyre. Shuma që duhet t’u kompensohet pesë ish-anëtarëve të Bordit të RTK-së kap vlerën e mbi 100 mijë eurove.
“Detyrohen të paditurit, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Radiotelevizioni i Kosovës, me seli në Prishtinë, që në mënyrë solidare paditësve, në emër të kompensimit të të ardhurave personale, t’ua paguajnë shumat…”, është thënë në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kuvendi i Kosovës, në vitin 2021, kishte shkarkuar Sali Bashotën, Agron Gashin, Lirim Gecin, Fadil Miftarin, Ilir Bytyçin, Bajram Mjekun, Petrit Musollin dhe Albinot Malokun nga Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës.
Vendimi për shkarkimin e Bordit të RTK-së nga deputetët e Vetëvendosjes kishte ngjallur reagime të shumta. Ky vendim ishte kritikuar edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë.
“Ndonëse qytetarët e Kosovës meritojnë llogaridhënie, shkarkimet duhet të mbështeten në prova transparente, ashtu sikurse edhe emërimet duhet të mbështeten në merita. Shkarkimet e njëanshme e të nxituara dëmtojnë institucionet publike dhe nuk trajtojnë problemet strukturore”, ishte thënë në reagimin e 9 korrikut të vitit 2021 të Ambasadës së ShBA-së, duke nënvizuar se “reformat efektive afatgjata kërkojnë një qasje të matur dhe metodike, duke vënë interesat e Kosovës në radhë të parë dhe politikat partiake mënjanë”.





