Avokati Ardian Bajraktari ka folur për ndryshimet e miratuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe për çështjen e zgjedhjes së presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula.
Në një prononcim për Lajmi.net, Bajraktari ka thënë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë substanciale dhe të rëndësishme, duke përmendur rishikimin e juridiksionit, krijimin e një mekanizmi mbikëqyrës dhe çështjen e dënimeve.
“Sa i përket Ligjit për Dhomat e Specializuara, natyrisht se janë ndryshime substanciale dhe të rëndësishme, duke filluar nga rishikimi i juridiksionit të këtyre dhomave, pastaj edhe natyrisht për çështje të tjera, siç është çështja e krijimit të mekanizmit mbikëqyrës, i cili ka munguar në ligjin bazë. Po ashtu, duhet rishikuar edhe çështja e dënimeve, si dhe mundësia, nëse çështja shkon në fazën e tretë në Gjykatën Supreme, që ajo të bjerë dhe procesi të vazhdojë në Kosovë. Janë ndryshime të rëndësishme që shpresoj të jenë në linjë edhe me amendamentet kushtetuese për sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale”, tha Bajraktari.
Duke folur për njoftimin e dërguar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentes, Bajraktari sqaroi se nuk bëhet fjalë për një lëndë të re.
“Dua të them që është vetëm një njoftim, domethënë që mund të bëhet nga çdokush, nuk është lëndë e re në Gjykatën Kushtetuese, është njoftim në Gjykatën Kushtetuese, sipas të cilit pretendohet se nuk është arritur me u përmbushë obligimi kushtetues për me zgjedh presidentin brenda afatit të vendosur nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Vlerësoj se këto finesa të vogla kanë qenë aspekte procedurale, të cilat nuk e besoj që e bëjnë deri në atë masë defektoz procesin”, u shpreh avokati për lajmi.net
Sipas Bajraktarit, çështja e minutave nuk është e mjaftueshme që procesi i zgjedhjes së presidentes të konsiderohet jokushtetues.


