Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në kuadër të hetimeve për përgatitjen e një vrasjeje të rëndë në bashkëkryerje dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është realizuar më 28 nëntor, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Kontrolle dhe bastisje janë kryer në disa lokacione në Prishtinë, Obiliq dhe Gjakovë, me qëllim të sigurimit të provave dhe ndriçimit të rrethanave të rastit.
Gjatë operacionit janë sekuestruar disa armë dhe municion, përfshirë një pistoletë me shurdhues dhe pesë fishekë, të gjetur në një automjet, si dhe një armë e shkurtër e tipit TT me shtatë fishekë, e gjetur në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve.




