Drejtori i dorëhequr i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në letrën që ia ka dërguar kryeministrit Albin Kurti, ka paraqitur një përmbledhje të punës dhe rezultateve të institucionit që e drejtoi nga marsi i vitit 2023 deri më 30 tetor 2026.
Në këtë letër, Hoxha ka renditur një sërë operacionesh dhe sfidash të sigurisë me të cilat është përballur Policia e Kosovës gjatë mandatit të tij, duke veçuar në mënyrë të posaçme zhvillimet në pjesën veriore të vendit.
Ai ka përmendur operacionet kundër strukturave ilegale, largimin e barrikadave, luftimin e kriminalitetit dhe rikthimin e funksionimit të stacioneve policore në veri, pavarësisht dorëheqjeve masive të zyrtarëve policorë të komunitetit serb.
“Përkundër këtyre sfidave, kemi arritur të marrim nën kontroll stacionet policore në veri, të garantojmë praninë dhe funksionimin e Policisë së Kosovës në atë pjesë të vendit”, ka shkruar Hoxha në letrën drejtuar kryeministrit.
Ndër ngjarjet kryesore të përmendura në këtë përmbledhje është sulmi terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku Policia e Kosovës u përball me grupin e armatosur që sulmoi zyrtarët policorë.
“Policia e Kosovës dëshmoi profesionalizëm, guxim dhe vendosmëri në mbrojtje të rendit kushtetues dhe sovranitetit të vendit”, ka theksuar Hoxha, duke iu referuar operacionit kundër grupit terrorist në Banjskë.
Një tjetër ngjarje e rëndësishme që ai ka veçuar është sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Hoxha ka vlerësuar si sukses menaxhimin dhe hetimin e këtij rasti, si dhe arrestimin e personave të dyshuar.
Në mesin e operacioneve të tjera të përmendura janë edhe ato kundër laboratorëve të drogës, fermave të kriptovalutave dhe organizatave ilegale “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.
Ai ka përmendur gjithashtu organizimin e zgjedhjeve lokale në komunat veriore dhe marrjen nën kontroll të objekteve komunale më 26 maj 2023.
Hoxha: Kosova sot ka më pak vrasje dhe krime të rënda
Në letrën e tij, Hoxha ka folur edhe për rezultatet në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit me drogë dhe armë, korrupsionit, krimeve kibernetike dhe mashtrimeve me kriptovaluta.
Ai ka pretenduar se gjatë viteve të fundit është përmirësuar siguria publike në vend, duke iu referuar edhe vlerësimeve ndërkombëtare.
“Siguria publike ka qenë një ndër sukseset më të rëndësishme të Policisë së Kosovës në vitet e fundit”, ka shkruar ai.
Më tej, Hoxha ka theksuar se Kosova renditet ndër vendet më të sigurta në Evropë dhe e treta në botë, ndërsa ka shtuar se:
“Sot, Kosova ka më pak vrasje, më pak krime të rënda, më pak grabitje dhe më shumë siguri për të gjithë qytetarët e saj.”




