Drejtori i dorëhequr i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, në të cilën ka shpjeguar arsyet e largimit nga kjo pozitë dhe ka paraqitur një përmbledhje të rezultateve të Policisë gjatë periudhës sa ishte në krye të institucionit.
Hoxha ka bërë të ditur se dorëheqjen morale e ka marrë pas rastit tragjik të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke e cilësuar vendimin si reflektim të përgjegjësisë institucionale dhe morale.
Në letrën drejtuar kryeministrit, ai ka theksuar se përgjegjësia e një udhëheqësi nuk përfundon vetëm te veprimet individuale, por përfshin edhe funksionimin dhe standardet e institucionit që drejton.
“Duke marrë për bazë ngjarjen tragjike në Vitomiricë të Pejës, vrasjen makabre të nënës, bijës dhe motrës sonë, Arlinda Zekaj, pas një reflektimi të thellë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë institucionale e morale, duke e vënë interesin e shtetit dhe dinjitetin e institucionit mbi çdo interes personal, unë jap dorëheqje morale nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës”, ka shkruar Hoxha.
Postimi i plotë:
LETËR E DREJTORIT TË POLICISË DREJTUAR KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, SI DHE PËRMBLEDHJE E DISA REZULTATEVE HETIMORE
I nderuar Kryeministër,
Përmes kësaj shkrese dëshiroj t'ju falënderoj për besimin e dhënë për të drejtuar Policinë e Kosovës gjatë këtyre viteve, që nga fillimi i muajit mars të vitit 2023 e deri më tani, për një periudhë prej pothuajse katër vjeçare.
Gjatë kësaj periudhe, Policia e Kosovës dhe unë, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, jemi përballur me sfida të shumta të sigurisë, duke filluar nga kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare dhe shtetërore, cenimi i integritetit territorial, sfidimi i autoritetit të institucioneve nga strukturat ilegale në veri të vendit dhe paligjshmëria shumëvjeçare në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.
Këto sfida përfshijnë operacionet kundër targave ilegale, laboratorëve të drogës dhe fermave të kriptovalutave, largimin e barrikadave ilegale, sfidimin e pranisë policore në veri nga organizatat ilegale terroriste "Mbrojtja Civile" dhe "Brigada e Veriut", deri te dorëheqjet masive të zyrtarëve policorë të komunitetit serb.
Përkundër këtyre sfidave, kemi arritur të marrim nën kontroll stacionet policore në veri, të garantojmë praninë dhe funksionimin e Policisë së Kosovës në atë pjesë të vendit, të organizojmë me sukses zgjedhjet lokale në komunat veriore dhe të sigurojmë marrjen nën kontroll të objekteve komunale më 26.05.2023.
Po ashtu, Policia e Kosovës u përball me sukses me sulmin në komunën e Zveçanit më 29.05.2023, si dhe me operacionin kundër grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë më 24.09.2023, ku Policia e Kosovës dëshmoi profesionalizëm, guxim dhe vendosmëri në mbrojtje të rendit kushtetues dhe sovranitetit të vendit.
Një tjetër sukses i rëndësishëm ishte menaxhimi, hetimi dhe arrestimi i personave të dyshuar për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, duke kontribuar në zbardhjen e këtij rasti dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Gjatë kësaj periudhe, Policia e Kosovës ka shënuar suksese të shumta edhe në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit me drogë dhe armë, korrupsionit, krimeve kibernetike, mashtrimeve me kriptovaluta dhe formave të tjera të kriminalitetit të rëndë.
Siguria publike ka qenë një ndër sukseset më të rëndësishme të Policisë së Kosovës në vitet e fundit. Këtë nuk e dëshmojnë vetëm vlerësimet tona institucionale, por edhe hulumtimet dhe vlerësimet e mekanizmave ndërkombëtarë, sipas të cilave Kosova renditet ndër vendet më të sigurta në kontinentin evropian dhe e treta në botë, në renditje e tillë nuk ishte arritur asnjëherë më parë.
Po ashtu, Kosova vazhdon të shënojë rezultate të rëndësishme në uljen e aksidenteve me fatalitet në komunikacion, duke u dalluar në rajon, bazuar në raportet evropiane për sigurinë rrugore gjatë dekadës së fundit.
Një ndër arritjet tona të rëndësishme institucionale është zbatimi me sukses i dy strategjive bashkëkohore të policimit. Strategjia e policimit në bashkësi dhe strategjia e policimit të udhëhequr nga inteligjenca policore. Nga viti 2020 deri me sot jane ngritur kapacitetet grumbulluese dhe analitike te inteligjencës kriminale duke u gjashtëfishuar numri raporteve intelegjente të pranuara, analizuara, trajtuara dhe operacionalizimi i tyre.
Po ashtu, është shumëfishuar numri i produkteve analitike, të cilat kanë ndihmuar në procesin e vendimmarrjes, rritjen e efikasitetit operacional, luftimin e formave të krimit të organizuar, menaxhimin e situatave të ndërlikuara të sigurisë në veri të vendit dhe përballjen me sulmet hibride të shërbimeve armiqësore ndaj shtetit tonë.
Sot, Kosova ka më pak vrasje, më pak krime të rënda, më pak grabitje dhe më shumë siguri për të gjithë qytetarët e saj.
Megjithatë, dhuna në familje mbetet një fenomen thellësisht shqetësues për ne, për të gjitha institucionet e drejtësisë dhe për shoqërinë tonë në tërësi. Pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës, vlerësoj se nevojitet një qasje shumë më e koordinuar ndërmjet të gjitha institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë, Prokurorinë, Shërbimet Sociale, Gjykatat dhe organizatat joqeveritare, pasi sistemi aktual nuk po funksionon në nivelin e duhur të përgjegjësisë dhe efikasitetit.
Andaj, duke marrë për bazë ngjarjen tragjike në Vitomiricë të Pejës, vrasjen makabre të nënës, bijës dhe motrës sonë, Arlinda Zekaj, pas një reflektimi të thellë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë institucionale e morale, duke e vënë interesin e shtetit dhe dinjitetin e institucionit mbi çdo interes personal, unë jap dorëheqje morale nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës. Këtë vendim e marr me bindjen se përgjegjësia udhëheqëse nuk përfundon vetëm te veprimet individuale. Ajo nënkupton edhe përgjegjësinë për të garantuar që institucioni që drejtojmë të ruajë standardet më të larta të ligjshmërisë, profesionalizmit dhe integritetit, besoj se ndonjëherë përgjegjësia morale kërkon vendime të vështira. Asnjë pozitë nuk është mbi shtetin, asnjë funksion nuk është më i rëndësishëm se besimi i qytetarëve dhe askush nuk duhet të jetë mbi parimin e llogaridhënies. Kjo dorëheqje nuk është braktisje e Policisë së Kosovës. Është një mesazh se institucionet tona duhet të jenë më të forta se individët dhe se besimi publik duhet të mbrohet me përgjegjësi të vërtetë.
Këtë vendim e marr me përgjegjësi të plotë, duke qenë i vetëdijshëm për peshën e detyrës që kam ushtruar dhe për përgjegjësinë që bart ky institucion ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.




