Falë një investimi të Bashkimit Evropian, 107 familje në Obiliq dhe Gllogoc do të përfitojnë kushte më të mira jetese dhe fatura më të ulëta të energjisë, pas përfundimit të renovimeve për efiçiencë të energjisë në ndërtesat sociale kolektive të banimit.
Këto renovime janë realizuar në kuadër të Pakos së Mbështetjes për Energji prej 75 milionë eurosh, të financuar nga BE-ja, e cila synon t’i ndihmojë qytetarët, familjet dhe bizneset të përballen me çmimet e larta të energjisë. Projekti është zbatuar në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Deri më tani, përmes kësaj pakoje janë renovuar 28 ndërtesa sociale kolektive të banimit në 13 komuna të Kosovës.
Njoftimi:
Renovimet e mbështetura nga BE-ja ulin kostot e energjisë dhe përmirësojnë kushtet e jetesës për 107 familje në Obiliq dhe Gllogoc Falë investimit të Bashkimit Evropian, 107 familje në Obiliq/Obilić dhe Gllogoc/Glogovac do të paguajnë më pak për energji dhe do të jetojnë në kushte më të mira, pas përfundimit të renovimeve për efiçiencë të energjisë në ndërtesat sociale kolektive të banimit. Këto renovime janë pjesë e Pakos së Mbështetjes për Energji prej 75 milionë eurosh, të financuar nga BE-ja, e cila synon t’i ndihmojë qytetarët, familjet dhe bizneset të përballen me çmimet e larta të energjisë. E zbatuar në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, kjo pako deri më tani ka mbështetur renovimin e 28 ndërtesave sociale kolektive të banimit në 13 komuna.
Si partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare, me mbi 3.7 miliardë euro të investuara që nga viti 1999, BE-ja vazhdon të mbështesë një të ardhme më të gjelbër dhe më efiçiente në fushën e energjisë për Kosovën. Në Obiliq, në përurim morën pjesë Shefi i Bashkëpunimit i BE-së në Kosovë, Hubert Perr, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, drejtoresha e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha, si dhe nënkryetari i komunës, Berat Gashi.
