Në fillim të kësaj jave, KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, konfirmoi se ka nisur një “tranzicionin gradual” të pranisë së përhershme të trupave nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
KFOR-i konfirmoi raportimet se Policia e Kosovës atë dite ishte parë të qëndronte në urë.
Një zëdhënës i Bashkimit Europian i tha Gazetës Express se ishin të informuar nga NATO.
“Dislokimi i një misioni të NATO-s në Kosovë është çështje që vendoset nga NATO. Mund të konfirmojmë se BE-ja është informuar nga NATO”, tha një zëdhënës i BE-së.
Zëdhënësi ka rikujtuar pozicionin e BE-së në raportin e vitit 2025 për vendin, ku thuhej se ura duhet të hapet pas konsultimeve me “partnerët e sigurisë”.
Për BE-në, ky kusht është përmbushur pas njoftimit nga KFOR-i.
“Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë: pasi të kompletohen punimet në urën Austerlitz në Mitrovicë, si dhe vlerësimet dhe konsultimet shtesë, ura duhet të hapet. Mund të konfirmojmë, siç është përmendur tashmë në raportin vjetor të vitit të kaluar, se ky është vërtet rasti”, thuhet në përgjigje.
Brukseli thekson se u informuan si duhet nga KFOR-i për tranzicionin e nisur.
“Si pjesë e mekanizmit me tri nivele të reaguesve të sigurisë në Kosovë, Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është informuar në mënyrë të duhur nga KFOR-i për tranzicionin gradual të pranisë së përhershme. Misioni do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për të garantuar siguri të përshtatshme për të gjitha komunitetet në të gjithë territorin e Kosovës, në përputhje me mandatin e tij”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit.
Ky proces, KFOR-i ka thënë se do të jetë “gradual” dhe se për këtë “po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë”.
“Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura Kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e dislokimit të KFOR-it. Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushte dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Shefi i Mbrojtjes i Serbisë, gjenerali Mojsilovic, është informuar rregullisht gjithashtu. Gjeneralmajor Ulutas, Komandanti i misionit të KFOR-it, mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë në Institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë”, thuhet në një përgjigje të KFOR-it.
Misioni i NATO-s në Kosovë tha se trupat e KFOR-it janë të pozicionuar mirë “për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant”.
Të hënën, KFOR-i njoftoi gjithashtu se ka nisur “integrimin e personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it, në Manastirin e Deçanit”.