Bashkimi Evropian, në deklaratën për vdekjen e Ratko Mladiqit, ka dënuar çdo formë të glorifikimit të kriminelëve të luftës, mohimit të gjenocidit dhe revizionizmit, duke theksuar se fenomene të tilla nuk kanë vend as në BE dhe as në shtetet kandidate për anëtarësim.
Qëndrimi i Brukselit vjen në kohën kur në Serbi po organizohen nderime për Mladiqin, i cili po varroset në Beograd. Portreti dhe emri i tij janë shfaqur në tubime përkujtimore, ndërsa homazhe i janë bërë edhe nga grupe tifozësh.
Në derbin ndërmjet Crvena Zvezdës dhe Partizanit në Beograd, futbollistët mbajtën një minutë heshtje për Mladiqin. Në tribunën veriore të stadiumit “Rajko Mitić”, tifozët e Zvezdës shpalosën një portret të madh të tij dhe mesazhin “Drejt Potoçarit”.
Këto janë fjalët që Mladiq i kishte shqiptuar në korrik të vitit 1995, para hyrjes së forcave serbe të Bosnjës në Srebrenicë. Pas rënies së enklavës u krye gjenocidi ndaj boshnjakëve.
Në një deklaratë të zëdhënësit të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), BE-ja shpreh solidaritet me viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre, duke i cilësuar konfliktet e armatosura të viteve ’90 në Ballkanin Perëndimor si “ndër momentet më të errëta të Evropës në historinë e saj të kohëve të fundit”.

