Ish-deputeti, njëherit kandidati për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami ka renditur disa nga dallimet e liderit të kësaj partie, Bedri Hamza me atë të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke theksuar edhe se PDK nuk ka vija të kuqe me partitë shqiptare por me Serbinë .
Artan Behrami ka thënë se Bedri Hamza do të jetë kryeministri i ardhshëm, e ku foli edhe për atë se a e pranon PDK, Fatmir Limajn në parti.
“Unë mendoj që qytetarët e Kosovës janë lodhur nga kaosi dhe nga përçarjet, nga narracioni se kush është më serbë, më Vuçiq e më Radojiçiq dhe qytetarët e Kosovës janë të interesuar në stabilitet dhe në për bashkim, për vende të punës, në mirëqenie ekonomike e sociale dhe në marrëdhënie normale me SHBA-të dhe i ka marr malli për fitore diplomatike dhe të gjitha këto garantuesi i vetëm është Bedri Hamza dhe PDK dhe më 28 dhjetor besojmë se do të zgjedhet i pari dhe do ta formojë Qeverinë. Vijat e kuqe që LVV i ka vendos ndërmjet partive shqiptare po edhe të popullit shqiptar duke suspenduar logjikën, duke injektuar inatet dhe përçarjet, këto vija të kuqe dëshirojmë t’i largojmë dhe këto vija t’i vendosim me Serbinë por jo mes shqiptarëve. Kjo është logjika e PDK-së, prandaj me partitë shqiptare PDK nuk ka vija të kuqe por kemi vija të kuqe me Serbinë”, shtoi ai.
Behrami ka shpjeguar çka ndodhi me çështjen e Limajt i cili në një konferencë për media tha se nëse do ta kalojnë pragun në Kuvend do t’i bashkohen PDK-së.
“Sa i takon Limajt, kryetari Bedri Hamza e ka bërë të qartë që rruga për integrim në PDK shkon përmes selisë së partisë dhe jo përmes parlamentit dhe kushdo që të rikthehet në PDK mund ta bëjë pas zgjedhjeve nacionale dhe ajo rrugë dihet përmes zgjedhjeve në çdo lagje dhe qytet deri të kryesia e PDK-së pra rruga shkon përmes selisë së partisë dhe jo përmes parlamentit. Ne kemi bërë të qartë qëndrimin që ka qenë një kohë tepër e shkurtë që me organizu një proces të integrimit siç e thash për me organizu zgjedhje të brendshme nga nëndega e fshatit tim deri të kryesia e partisë dhe në mungesë të një procesi të tille mendoj se do të ishte e ngutur në prag të zgjedhjeve”, tha Behramaj.
Ish-deputeti përmend rehatinë e PDK-së në bashkëpunim me partitë tjera dhe si pjesë të bashkëpunimit renditi LDK-në, AAK-në dhe partitë jo serbe.
“Mendoj se për herë të parë në këto pesë vite PDK do të jetë në gjendje që vetëm ta zgjedh partneritetin dhe jo dikush tjetër dhe duke qenë kështu duke qenë fitues në këto zgjedhje dhe duke pasur dominim në kuvend ne shumë më shumë ndihemi më rahat dhe më mirë me partitë sic është LDK dhe AAK dhe partitë të tjera joserbe sesa me LVV”, tha ai për Ekonomia Online.
