Detaje të reja dalin nga dosja hetimore për drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, pjesë të së cilës janë siguruar nga Top Channel.
Dokumentet përmbajnë dëshminë e Hysenit në SPAK, si dhe të dhënat që hetuesit kanë administruar për komunikimet e saj me Ergys Agasin.
“Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar se më datë 20.07.2026, në ambientet e “Equos Resort”, Tiranë, u sekuestrua mjeti me targa GG444AA, në pronësi të shtetasit Ergys Agasi. Brenda tij, me procesverbalin e datës 22.07.2026, u sekuestruan, ndër të tjera, 9 (nëntë) printime me letër formati të madh, në të cilat paraqiten diagrama me të dhëna të ngjashme me ato të prodhuara nga Shërbimi Informativ i Shtetit.
Gjatë seancës gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit, vetë Ergys Agasi ka pranuar se mjeti ishte i tij dhe se i kishte lënë këto sende me qëllim që t’i gjenin organet e Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në dosje.
Në dosje thuhet se ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni, është pyetur më 18 shtator 2026 në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Ajo ka pranuar komunikimin e vazhdueshëm me Agasin deri në ditën e arrestimit të tij, por ka mohuar takimet fizike dhe e ka shpjeguar këtë raport me “bashkëpunimin” që Agasi i kishte ofruar Shërbimit Informativ të Shtetit.
Në dosje thuhet se: “Më datë 18.09.2026, e pyetur në cilësinë e personit me dijeni për veprën penale, shtetasja Vlora Hyseni ka pranuar komunikimin e vazhdueshëm me Ergys Agasin deri në ditën e arrestimit të tij, ka deklaruar se ai i ka ofruar “bashkëpunim”, ka mohuar takime fizike apo faktin që Agasi të ketë siguruar informacione nga Shërbimi Informativ i Shtetit, dhe është zotuar të kthejë përgjigje zyrtare, me shkresë të klasifikuar, mbi origjinën e diagrameve të sekuestruara”.
Në pjesën e dosjes hetimore, SPAK ballafaqon deklarimet e Hysenit me të dhënat e sekuestruara nga pajisjet e Ergys Agasit dhe me përmbajtjen e komunikimeve mes tyre.
“Ashtu sikurse rezulton nga bisedat e mësipërme, shtetasi Ergys Agasi jo vetëm që nuk është në rolin e “bashkëpunëtorit”, por, në të kundërt, është ai që merr dhe dikton informacionin e marrë”, thotë SPAK në hetimet e tij.
Dosja evidenton intensitetin e komunikimeve mes Hysenit dhe Agasit edhe gjatë periudhës kur ky i fundit ishte në kërkim nga drejtësia.




