Ministrja e Drejtësisë e Belgjikës, Annelies Verlinden, dhe ajo e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt, kanë nisur një vizitë treditore në Shqipëri dhe në Kosovë, që do të përqendrohet në mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimin e një burgu në njërin prej këtyre shteteve.
Një marrëveshje për dhënien me qira të qelive Kosova ka me Danimarkën.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë në detyrë të Drejtësisë për mundësinë e një marrëveshjeje për burgjet edhe me Belgjikën dhe është ende në pritje të përgjigjes.
Kjo vizitë e dy ministreve belge do të përqendrohet në fuqizimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, rimarrjen e aseteve kriminale jashtë vendit dhe trajtimin e mbipopullit në burgjet belge dhe migrimit.
Ministret, sipas DeMorgen, që janë nisur sot drejt Shqipërisë, do të insistojnë që Tirana zyrtare të pranojë rikthimin e shtetasve të saj që mbahen në burgjet belge. Këtu përfshihen 307 shtetas shqiptarë, prej të cilëve 253 nuk kanë leje qëndrimi.
“Ata që janë të dënuar këtu dhe nuk kanë leje qëndrimi mund ta vuajnë dënimin në vendin e tyre të origjinës, atëherë kjo do të nënkuptojë një ekzekutim të drejtë të dënimit, ashtu edhe rritje të konsiderueshme të efikasitetit për institucionet tona të burgjeve”, tha Verlinden.
Gjatë kësaj vizite, sipas Verlinden, do të diskutohet për një memorandum mirëkuptimi për asetet, në mënyrë që pasuritë e konfiskuara në rastet penale në Kosovë dhe Shqipëri, mbi bazën e informacionit nga hetimet në Belgjikë, pjesërisht të mund të kalojnë në arkën e shtetit belg.
Ministrja Verlinden tha se ka bashkëpunim pozitiv me Kosovën dhe Shqipërinë.
