Në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë në Beograd është mbajtur ceremonia përkujtimore për ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, i cili vdiq në Hagë derisa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për krime lufte.
Megjithëse Mlladiqi ishte dënuar përfundimisht për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë rrethimin e Sarajevës, në fillim të ceremonisë mori pjesë edhe ministri aktual i Drejtësisë në Serbi, Nenad Vujiq, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
Para hyrjes së ndërtesës së Shtëpisë së Ushtrisë, në dy radhë, ishin të pranishëm dhjetëra persona që prisnin të hynin. Grupe njerëzish ishin të pranishme edhe në parkun përballë, disa prej të cilëve ishin të veshur me uniforma ushtarake.
Përveç familjarëve, në ceremoninë përkujtimore morën pjesë edhe ish-pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Sërpska, si dhe qytetarë që e respektojnë Mlladiqin dhe mohojnë krimet e rënda për të cilat ai u dënua.
Mbështetësit, të cilët thanë se kishin ardhur për t’i bërë nderimet, kryesisht ishin të veshur me të zeza, ndërsa disa kishin veshur bluza me portretin e Mlladiqit dhe mbishkrimin “hero”.
Në hyrje të ndërtesës kishte turmë, pasi jo të gjithë mundën të hynin, ndërsa një grup ishte sjellë me autobus nga Bosnje e Hercegovina. Në mesin e të pranishmëve ishin invalidë të luftës, veteranë nga Republika Sërpska, si dhe politikanë. Mbështetësit e Mlladiqit para Shtëpisë së Ushtrisë kryesisht nuk pranuan të flisnin me gazetarët.
Në fillim të ceremonisë, ku mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, foli gjeneral-koloneli në pension Branko Kërga, i cili ishte komandant brigade në kohën kur edhe Mlladiqi shërbente në atë periudhë. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Radan Ostoiq, ministër i Punës dhe i Mbrojtjes së të Drejtave të Veteranëve dhe Invalidëve të Republikës Sërpska.
Ratko Mlladiq, komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska gjatë luftës, më 8 qershor 2021 u dënua përfundimisht me burgim të përjetshëm nga Mekanizmi për Tribunalet Penale Ndërkombëtare në Hagë, pasardhës i Tribunalit të Hagës. Ai u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë rrethimin e Sarajevës.
Ratko Mlladiqi ishte një nga të arratisurit e fundit të kërkuar nga Tribunali i Hagës që u arrestuan. Megjithëse oficerët të cilëve ai u kishte komanduar ishin arrestuar shumë vite më herët, ai iu shmang gjykatës dhe drejtësisë për gati 15 vjet. Fillimisht u fsheh në objekte ushtarake, ndërsa më vonë në rrethin familjar.
Ai u arrestua më 26 maj 2011 në fshatin Lazarevë, pranë Zrenjaninit, Serbi, në një objekt ndihmës në pronën e një të afërmi të tij. Mlladiqi përdorte emrin e rremë Millorad Komadiq. Megjithatë, policit i tregoi menjëherë emrin e tij të vërtetë. Ai iu dorëzua Tribunalit të Hagës më 31 maj 2011. Edhe atëherë, para 15 vitesh, Mlladiqi deklaronte se shëndeti i tij ishte rënduar.
Për shkak të fshehjes së të arratisurve të kërkuar nga Tribunali i Hagës, mbi të gjitha Ratko Mlladiqit dhe Radovan Karaxhiqit, ish-presidentit të Republikës Sërpska gjatë luftës, Serbia, por edhe serbët, u përballën me probleme si në rajon, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Tribunali i Hagës e akuzoi Mlladiqin për herë të parë më 25 korrik 1995, ndërsa aktakuza u ndryshua dhe u plotësua disa herë deri në vitin 2011. Gjyqi zgjati nga 16 maji 2012 deri më 15 dhjetor 2016