Kapitulli i ri në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka nisur me mandate të reja. Dhjetë anëtarët e KQZ-së, të udhëhequr nga kryetari Kreshnik Radoniqi, kanë dhënë betimin para ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Nga Lëvizja Vetëvendosje janë betuar Hysen Durmishi dhe Violeta Salihu, ndërsa PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja do të kenë nga një përfaqësues – Rashit Qalajn, Ilir Fetahun dhe Muharrem Nitajn.
Edhe partitë e komuniteteve joshumicë do të përfaqësohen me nga një anëtar: Stefan Filipoviq nga Lista Serbe, Yıldıray Bayrami nga KDTP, Delvir Tairi nga Koalicioni Vakat dhe Abedin Neziraj nga IRDK.
Megjithatë, përbërja e KQZ-së pritet të hapë një tjetër debat politik, Vetëvendosje po kërkon edhe një anëtar, ndërsa PDK-ja e konsideron të padrejtë faktin që ka vetëm një përfaqësues.
Sipas informacioneve të Klan Kosovës, PDK-ja pritet që së shpejti ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, pasi konsideron se, bazuar në Kushtetutë, i takojnë dy anëtarë në KQZ. Të njëjtën kërkesë kjo parti ia kishte bërë Haxhiut edhe në prill.
Ndërkohë, në mars, ish-presidentja Vjosa Osmani kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese sqarim për kompetencat lidhur me emërimin e anëtarëve të KQZ-së dhe rolin e grupeve parlamentare, por kërkesa ishte shpallur e papranueshme.