Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, tha se sot e ka njoftuar emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, për pengesat sistematike që Serbia po i shkakton karshi subvencioneve të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës si në arsim si në bujqësi.
“Sot kam njoftuar z. Peter Sørensen, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, lidhur me një çështje serioze që tashmë ka marrë karakter të pengesës sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”.
Bislimi tha se 3650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
“Qeveria jonë ka zbatuar plotësisht dhe në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale. Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore”, tha ai.
