Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka realizuar një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin. Gjatë qëndrimit të tij, Bislimi u takua me deputetin e Bundestagut nga radhët e CDU-së, Knut Abraham, për të diskutuar çështje të rëndësishme lidhur me integrimin evropian të Kosovës dhe progresin e arritur në këtë proces në katër vitet e fundit.
Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi arritjet e Kosovës gjatë periudhës së qeverisjes së tanishme, duke përmendur përpjekjet për rritjen e punësimit, përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave, dhe avancimin e zbatimit të agjendës së reformave evropiane. Ai theksoi se këto përpjekje kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe kanë krijuar mundësi për zhvillim ekonomik dhe shtim të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në vazhdim, zëvendëskryeministri Bislimi nënvizoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i bërë në vitin 2022, ka qenë një hap i rëndësishëm për vendin dhe është mbështetur nga raporti pozitiv që ka dëshmuar progresin e Kosovës në implementimin e reformave dhe angazhimet për përmbushjen e kushteve të kërkuara nga BE. Ky raport është një tregues i qartë i gatishmërisë së Kosovës për të bërë hapa të mëtejshëm në rrugën e integrimit evropian, përfshirë arritjen e statusit të vendit kandidat.
