Sot përfundon afati që mbrojtja e drejtuesve të UÇK-së, Hashimit Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të njoftojë apelimin e vendimit dënues të gjykatës së shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë, më 16 shtator, raporton Agjencia e Lajmeve KosovaPress.
Tashmë, avokatët e katërshes së UÇK-së kanë bërë të ditur se ata do të kundërshtojnë dënimet, pasi i kanë vlerësuar si të padrejta.
Sa i përket këtij procesi në Apel, nuk ka afat të caktuar se kur pritet të përfundojë.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi po ashtu u dënua me 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
lat janë procedurat që palët ndjekin për apelim?
Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, palët që apelojnë vendimin e gjykatës ose dënimit, ose të dyja së bashku, duhet të dorëzojnë atë që quhet njoftimin për apel, ku parashtrohen arsyet e apelimit, 30 ditë nga shpallja e aktgjykimit.
Më pas, kryegjykatësi i panelit të Gjykatës së Apelit – gjykatë që përbëhet nga tre anëtarë – mund të caktojë një prej gjykatësve si gjykatës raportues për procedurën paraapeluese. Gjykatësi raportues ka për detyrë të marrë masat e nevojshme për aspektet procedurale, sikurse janë lëshimi i vendimeve, urdhrave dhe udhëzimeve me qëllim që të përgatitet çështja për shqyrtim. Ai duhet që rregullisht ta informojë panelin e Gjykatës së Apelit, veçmas nëse ka kontestime lidhur me çështjet procedurale.
Më pas, brenda 21 ditësh nga njoftimi për apel, kryegjykatësi apo gjykatësi raportues e thërret një konferencë ku ngrihen çështje rreth apelit.
Palët që parashtrojnë apel duhet të dorëzojnë dosjen e apelit e cila përmban të gjitha argumentet dhe burime të tjera ligjore ku mbështeten arsyet e apelimit. Kjo duhet të dorëzohet brenda 60 ditësh apo brenda 30 ditësh nga njoftimi për apel, nëse çështja ka të bëjë vetëm me dënimin e shqiptuar.
Më pas palët dorëzojnë të ashtuquajturën dosje të përgjigjes, ku paraqesin argumentet ligjore të tyre. Afatet se kur dorëzohet kjo dallojnë: 30 ditë për argumentet dhe burimet ligjore dhe 15 ditë vetëm për dënimin nga paraqitja e dosjes. Kjo pasohet me dosjen e kundërpërgjigjes për të cilën afatet janë më të shkurtra, 15 dhe 10 nëse ka të bëjë vetëm me dënimin.

