Nëse në periudhën e ardhshme nuk arrihet një marrëveshje politike për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, bllokada institucionale mund të rikthehet gjatë përpjekjeve për të formuar institucionet e reja.
Kështu vlerëson për Radion Evropa e Lirë Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke theksuar se tani bëhet fjalë për një çështje politike, e jo ligjore.
Mundësinë e një bllokade të re institucionale nuk e përjashton as Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, pasi përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas tij, “e interpretojnë ndryshe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që ata shumë lehtë të kapen pas ndonjë fjale, pjese të tekstit ose ndonjë dispozite të vendimit dhe ta interpretojnë me qëllim gabimisht, ashtu siç kanë bërë gjatë 56 seancave të konstituimit të Kuvendit, vitin e kaluar”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.
Më 28 janar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar serb i Kuvendit në legjislaturën e kaluar, e bërë përmes shortit, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Gjykata theksoi se e drejta për të propozuar kandidatin i takon partisë që ka fituar shumicën e vendeve të rezervuara për komunitetin serb – në këtë rast, Listës Serbe, e cila i kishte nëntë nga dhjetë mandatet.
Kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – fitoi sërish nëntë mandate në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor, ndërsa një mandat e fitoi Nenad Rashiq, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Bllokada institucionale mund të rikthehet nëse Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e cila fitoi në zgjedhjet e fundit, vazhdon të refuzojë çdo bashkëpunim me Listën Serbe, ndërsa Lista Serbe refuzon të propozojë Rashiqin.
Lista Serbe vlerëson se Rashiq ka hyrë në Kuvendin e Kosovës me mbështetjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe e konsideron atë si përfaqësues “jolegjitim” të serbëve.
A ka shanse për marrëveshje? Radio Evropa e Lirë kërkoi koment për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mundësinë e një marrëveshjeje si nga Nenad Rashiq dhe Lista Serbe, ashtu edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori asnjë përgjigje.
Mimoza Kusari Lila deklaroi për Tëvë 1 se grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ku bën pjesë dhe ajo, nuk do të japë votë për kandidatët e Listës Serbe, derisa të shqyrtohen të gjitha detajet e vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe të përcaktohet mënyra e duhur e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb – pra përfshirë edhe kandidatin Nenad Rashiq.
Ajo theksoi se ekzistojnë edhe vendime të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese që i përcaktojnë procedurat e konstituimit të Kuvendit.
Vendimi i shtatorit të vitit të kaluar konstatonte se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, përveç rastit kur procesi pengohet qëllimisht – në atë rast, Kuvendi mund të funksionojë vetëm me kuorum për vendimmarrje.
