Rasti i Arlinda Zekajt dhe dhuna ndaj grave ishin në fokus të një deklarimi në Kuvend, ku deputetja Edona Llalloshi bëri thirrje për bashkim dhe veprime konkrete institucionale për parandalimin e rasteve të tilla.
Ajo tha se tragjedia e Arlindës duhet të shërbejë si pikë kthesë në shoqëri, duke kërkuar që të gjithë të bashkohen kundër dhunës dhe burrave që, sipas saj, e përdorin atë si mjet sundimi.
“Vrasja e Arlindës duhet të na shërbejë si pikë kthesë, duhet të bashkohemi kundër atyre burrave që e kanë kthyer dhunën në mjet sundues, o do të më nënshtrohesh, o do të vdesësh. E kush, nëse jo unë, ka arsye të flasë për këtë plagë”, u shpreh ajo.
Llalloshi tregoi gjithashtu për tragjedinë që kishte prekur familjen e saj, duke bërë të ditur se në vitin 2008, kushërira e saj, mjekja e respektuar Igballe Llalloshi, u vra nga bashkëshorti.
“Në vitin 2008, kushërira ime, mjeke e respektuar, Igballe Llalloshi, u vra nga bashkëshorti i saj. Edhe pse kanë kaluar 18 vite, për ne dhimbja nuk është shuar kurrë”, deklaroi ajo.



