Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me çështjen e ushtrimit të detyrës së Presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të mbetet pa kreun e shtetit, por as të vazhdojë pa afat me ushtrues detyre.
Cakolli ka vlerësuar se zgjidhja e vetme është zgjedhja e Presidentit të ri brenda afatit kushtetues, më së voni deri më 4 tetor.
Sipas tij, një dështim eventual i partive politike për ta zgjedhur Presidentin nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si arsyetim për tejkalimin e kufirit kushtetues të ushtrimit të detyrës, e aq më pak për të krijuar një mandat të ri gjashtëmujor për secilin kryetar të ri të Kuvendit që do ta ushtronte këtë funksion.
