Deputeti i LDK-së Lutfi Haziri, ka deklaruar para nisjes së seancës së Kuvendit se LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje janë në konsultime për një marrëveshje lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, qëllimi është arritja e një marrëveshjeje sa më shpejt për të siguruar funksionalitet institucional.
“Jemi në konsultime aktive, kryetari i LDK-së është duke punuar për t’i dhënë një mundësi marrëveshjes mes LDK-së dhe VV-së. Qëllimi ynë është që shteti të jetë funksional dhe të kemi organin më të lartë përfaqësues sa më shpejt. Jemi në 11 ditët e fundit dhe ky afat duhet të na obligojë që sa më shpejt t’i japim vendit një marrëveshje”, ka deklaruar Haziri.
Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të paralajmërojë takime mes kryeministrit Albin Kurti dhe dy partive opozitare, PDK dhe LDK, por ende nuk ka lëvizje të qarta, së paku jo publikisht.
Gjatë javës, i propozuari i Vetëvendosjes për President, kryediplomati Glauk Konjufca, tha se do të tërhiqte kandidaturën e tij nëse këto dy parti opozitare do të jepnin emrat e tyre.
