Vizita e paparalajmëruar në Prishtinë e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, nuk i ka befasuar vëzhguesit e zhvillimeve politike. Sorensen ngriti në takim çështjen e dorëheqjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë dhe kërkesat e tyre për rikthim në punë pas 4 vjetësh. Analistët thonë se prezenca e komunitetit serb në këto institucione është detyrim nga marrëveshjet e arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pa njoftim paraprak e agjendë publike, takimi u mbajt larg vëmendjes së mediave dhe qytetarëve.
Të premten pasdite, kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin e vizitoi i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Peter Sorensen.
Në takimin me dyer të mbyllura, Sorenseni ngriti si temë gjyqtarët dhe prokurorët e dorëhequr serbë që po kërkojnë rikthimin në punë.
Sipas njoftimit, Kurti ka përsëritur në takim se është i hapur për përfshirjen e serbëve në gjyqësor dhe prokurori, por jo për rikthimin e tyre automatik në punë, duke insistuar se çdo vendim të bëhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Sorensen nuk është deklaruar deri më tani për këtë vizitë, por ardhja e tij në Prishtinë nuk përbën çudi për njohësin e çështjeve politike, Albinot Maloku.
Sorensen vizitë të paparalajmëruar në Kosovë, diskuton me Kurtin për dialogun dhe kthimin e gjyqtarëve serbë në institucione
“Bazën e ka tek marrëveshjet e ndodhura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe për të cilat ndërmjetësit e Bashkimit Evropian bëjnë kujdes dhe interes të shtuar. Në dukje të parë ky interes mund të duket i një anshëm por është diçka që është pjesë e marrëveshjeve”, ka thënë Albinot Maloku, njohës i çështjeve politike.
