Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar pas vdekjes së dy punëtorëve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), brenda një periudhe prej vetëm tri ditësh.
Musliu ka ngritur shqetësime lidhur me sigurinë në vendin e punës dhe ka kërkuar të dihet nëse janë respektuar rregullat dhe masat e sigurisë.
“Tri ditë, dy jetë të humbura në vendin e punës. Dy familje të goditura nga dhimbja”, ka shkruar Musliu, duke theksuar se këto raste nuk duhet të trajtohen vetëm si lajme të radhës apo të mbyllen me komunikata.
Postimi i plotë:
ÇFARË PO NDODH NË KEK?!
Tri ditë, dy jetë të humbura në vendin e punës.
Dy familje të goditura nga dhimbja. Dy punëtorë që dolën për të kryer detyrën dhe nuk u kthyen më në shtëpi.
Kjo nuk mund të trajtohet si një lajm i radhës dhe as të mbyllet me një komunikatë.
Kush mban përgjegjësi për sigurinë e punëtorëve në KEK? A janë respektuar rregullat e sigurisë? Kush i ka vlerësuar rreziqet dhe çfarë masash janë marrë pas incidentit të parë?
Jeta e punëtorit nuk mund të jetë kosto e neglizhencës, keqmenaxhimit apo mungesës së kontrollit.
Duhet hetim i plotë, transparencë dhe përgjegjësi. Jo heshtje!
Ngushëllime familjeve të viktimave. Por mbi të gjitha: drejtësi për ta dhe siguri për ata që ende punojnë në KEK.