Në kohën kur po zhvillohen takime politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, në diskutim është edhe profili që duhet ta ketë një president konsensual. Por, përtej një marrëveshjeje politike për emrin, njohësit e çështjeve kushtetuese theksojnë se kandidati duhet të përmbushë disa kritere ligjore dhe të ketë tipare që e bëjnë atë të pranueshëm përtej ndarjeve partiake, raporton KosovaPress.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë për KosovaPress se kandidati duhet të nisë nga përmbushja e kushteve formale dhe juridike. Ai përmend moshën mbi 35 vjeçare dhe qëndrimin në Kosovë në dhjetë vitet e fundit si kritere ligjore. Por, sipas tij, përkufizimi i një presidenti konsensual shkon përtej këtyre kritereve.
Kryeziu thekson se presidenti, sipas Kushtetutës, është faktor i unitetit dhe ka për detyrë përfaqësimin ndërkombëtar, bashkëpunimin me institucionet e tjera, partitë politike parlamentare, si dhe ruajtjen e rendit juridik dhe kushtetues të vendit.
Për të, në krye të shtetit duhet të jetë një person me njohuri politike dhe përvojë institucionale, i cili mund ta ushtrojë funksionin pa u identifikuar me përplasjet partiake.
“Se pari duhet me i përmbush kushtet formale, juridike që i quajmë ne. Duhet t’i ketë 35 vjeç dhe duhet të jetë rezident dhjetë vitet e fundit në Kosovë. Pastaj konsensual nënkupton një person i cili i sheh partitë politike të njëjta dhe mos me i pa partitë politike si kundërshtarë. Në bazë të Kushtetutës, presidenti është faktor i uniteti, i cili ka për detyrë bashkëpunimin e partive politike parlamentare. Po ashtu, ka për detyrë ruajtjen e rendit juridik dhe kushtetues të vendit. Duhet me qenë një njeri normal, që ka njohuri politike dhe ka përvojë institucionale… Ka njerëz mjaftueshëm të tillë në Kosovë. Nuk duhet me kërkuar diçka çka nuk ka. Këta po kërkojnë diçka çka nuk ka. Çfarë kategorie, karakteri duhet me pas ai? Duhet me qenë njeri normal dhe sigurisht si presidentët e tjerë çka kanë qenë”, thekson ai.
Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, thotë se në procesin e zgjedhjes duhet të respektohen fillimisht kriteret kushtetuese dhe ligjore.
Sipas tij, presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë që mbron integritetin e zyrës së Presidentit dhe i ushtron në mënyrë adekuate kompetencat që ia përcakton Kushtetuta.



