Rezervuarin e traktorit, gjatë vitit të kaluar e mbushte përplot naftë me 140 euro.Por sot, fermerit Gani Dobratiqi, për 120 litra sa e ka kapacitetin ky mjet motorik, i shkojnë rreth 230 euro.
Ky shtrenjtim, e ka rënduar situatën për shumë fermerë në sezonin më të rëndësishëm për shumicën, atë të mbjelljeve pranverore.“Ka me ndiku negativisht tek fermerët, d.m.th. vitin e kalum nëse e ke përgatit 1 hektarë misër me mbjellë me pijatore ose me fresë, ka kushtu diku maksimum 30 deri në 40 euro. Kurse këtë vit ka me mbrri deri në 100 euro”, ka thënë Dobratiqi.
Nafta, në fakt nuk është e vetmja po i “djeg” xhepat e fermerëve, andaj sipas Dobratiqit nëse shteti nuk u del në ndihmë, shumica e fermerëve do të zvogëlojnë sipërfaqet me të mbjella.“Janë inputet bujqësore, si farat, plehnat, këto kanë fillu prej luftës në Ukrainë, kurse ushqimi I kafshëve ka fillu prej thatësisë që ka mbizotëru vitin e kaluar, psh, një dugë sanë vitin e kalum ka kushtu 1 euro, 1.50, kurse këtë vit ka mbërri deri në pesë euro, edhe ushqimi i kafshëve. Veç buka nuk është shtrejtu shumë, mielli…”, ka shtuar Dobratiqi.
Çmimet e derivateve në përditshmëri po përpiqet t’i mbajë nën kontroll Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit.Të hënën, nafta u kufizua në 1.86 euro për litër, ndërsa benzina në 1.49 euro për litër.
